Udhëzues - Procedura për Konfliktet Administrative

Udhëzues - Procedura për Konfliktet Administrative


Hyrje

Ky udhëzues është krijuar për t’ju pajisur me informacionet bazike dhe udhëzimet e nevojshme për të kuptuar dhe ndjekur hapat më të rëndësishëm gjatë procedurës për konfliktet administrative në gjykatat e Kosovës. Udhëzuesi përshkruan procesin gjyqësor, të drejtat dhe detyrimet e palëve të përfshira, dhe formatet standarde për dokumentet që përdoren gjatë procedurës.

Qëllimi i këtij udhëzuesi është t'ju ofrojë një përmbledhje të qartë dhe të thjeshtë të procedurës për konfliktet administrative, duke e bërë më të lehtë për ju të kuptoni dhe të përgatisni dokumentet dhe veprimet e nevojshme në rastet tuaja gjyqësore.

Ky udhëzues nuk duhet të lexohet si dokument që ofron këshilla ligjore për ju gjatë procedurës. Qëllimi i këtij udhëzuesi është t'iu pajisë me informata bazike lidhur me procedurat dhe të drejtat e në procedurë. Informatat brenda këtij udhëzuesi nuk janë gjithpërfshirëse. Prandaj, ky udhëzues mund të përmbajë informata që nuk janë të përshtatshme për raste të veçanta ose të përmbajë informata sipërfaqësore të cilat duhet të lexohen së bashku me ligjet në fuqi.


  1. Çka është procedura e konfliktit administrativ?

Procedura e konfliktit administrativ është procesi ligjor që ndodh kur një person ose kompani mendon se një vendim përfundimtar i një organi shtetëror ka shkelur ligjin dhe u ka shkaktuar dëm atyre. Në këtë rast, personi ose kompania mund të paraqesë një ankesë në gjykatë për të kërkuar shqyrtimin dhe, nëse është e nevojshme, anulimin ose ndryshimin e vendimit që ka shkaktuar dëmin. Kjo procedurë siguron që vendimet e organeve shtetërore të jenë në përputhje me ligjin dhe të mos cenojnë të drejtat e qytetarëve ose subjekteve juridike.


  1. Kush cilësohet organ i administratës publike?

Organet e administratës publike konsiderohen: 

  • organet e qeverisjes qëndrore si: të gjitha ministritë, Zyra e Kryeministrit, agjencitë e pavarura etj); 

  • organet e vetqeverisjes lokale dhe organet që lidhen me to si: komunat, kompanitë në pronësi publike që funksionojnë në kuadër të komunës 


  1. Cilat janë ligjet që duhet t’i kem parasysh gjatë përgatitjes së padisë?

  • Procedura administrative është e rregulluar në bazë të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative në fuqi në Republikën e Kosovës. Ndërkaq, procedura gjyqësore administrative rregullohet me Ligjin për Konfliktet Administrative dhe Ligjin për Procedurën Kontestimore. Këto ligj, bashkë me të gjitha ligjet tjera të zbatueshme në Kosovë mund t’i gjeni në web-faqen zyrtare të Gazetës Zyrtare të Republikës së Kosovës.

  • Ligjet ndryshohen, plotësohen ose shfuqizohen dhe zëvendësohen me ligje të reja kohë pas kohe. Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës është burimi kryesor dhe më i rëndësishëm për ligjet në fuqi pasi që përditësohet vazhdimisht dhe mund ta shihni qartë se cilat ligje janë në fuqi dhe cilat janë shfuqizuar.


  1. Në çfarë raste mund të dërgoj padi për konfliktin administrativ në gjykatë?

  • Nëse konsideroni se ju ka shkelur ndonjë e drejtë apo interes ligjor nga një organ administrativ ju mund të dërgoni padi ndaj veprimit ose vendimit të organit administrativ në gjykatë.

  • Është me rëndësi që padinë ta nisni vetëm pasi të keni paraqitur ankesë në Gjykatë. Përndryshe, gjykata nuk e trajton padinë tuaj nëse e keni dërguar për një vendim që nuk është ende përfundimtar. 

  • Keni parasysh se në vendimin e shkallës së dytë gjatë procedurës administrative te pjesa e Këshillës Juridike shkruan se keni të drejtë të parashtroni padi në gjykatë brenda afatit të caktuar. Gjithmonë ndiqeni këshillën juridike në fund të vendimit me të cilin konsideroni se u janë shkelur të drejtat ose ndonjë interes i ligjshëm. 


  1. A ekziston ndonjë afat për paraqitjen e padisë?


Po, padia paraqitet brenda tridhjetë (30) ditësh, që nga data e dorëzimit të aktit administrativ përfundimtar palës.



  1. Në cilën gjykatë duhet ta dërgoj padinë?

Të gjitha paditë për konfliktin administrativ për tërë Kosovën trajtohen nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative. Prandaj ju duhet t'i drejtoheni kësaj gjykate me padinë tuaj për konfliktin administrativ.


  1. Çka mund të kërkoj nga gjykata?

  • Anulimin ose shpalljen e pavlefshme të aktit që po e kundërshtoni;

  • Nxjerrja e aktit administrativ, që nuk është nxjerrë brenda afatit që do të duhej të nxjerrej;

  • Kthimi i sendeve të marra dhe kompensimi i dëmit të shkaktuar me ekzekutimin e aktit administrativ të cilin po e kundërshtoni.


  1. Çka duhet të përmbajë padia?

Padia duhet të përfshijë:

  • Emërtimin e gjykatës të cilës i paraqitet padia, 

  • Emri, mbiemri dhe vendbanimi, respektivisht selia e paditesit dhe te paditurit. 

  • Emri i organit administrativ që po e padisni;

  • Akti administrativ – pra titullimi i vendimit, numri rendor (nëse ka) dhe data e nxjerrjes së tij; 

  • Arsyet pse ngrihet padia, si dhe në cilin drejtim dhe vëllim propozohet anulimi i aktit administrativ


  1. Çka duhet t'i bashkëngjes padisë?

  • Bashkë me padinë duhet të bashkangjitët akti që po e kundërshtoni me padi, në origjinal ose kopje. 

  • Nëse me padi po e kërkoni edhe kthimin e sendit ose kompensimin e dëmit, duhet të shtrohet edhe kërkesa e caktuar në pikëpamje të sendit apo të shumës së dëmit të pësuar.

  • Bashkë me padi, paraqitet edhe nga një kopje e padisë për të paditurin dhe e dokumenteve të bashkëngjitura për organin e paditur dhe për çdo person të interesuar, nëse ekzistojnë të tillë.



9. Çka është një Akt Adminsitrativ?

"Akt administrativ" është çdo vendim i marrë nga një administratë publike, qeveria qendrore ose lokale, dhe organe të tjera, si rezultat i një procedure administrative për ushtrimin e autorizimeve publike.