Udhëzues - Procedura Jokontestimore

Udhëzues - Procedura Jokontestimore

Hyrje

Ky udhëzues është krijuar për t’ju pajisur me informacionet bazike dhe udhëzimet e nevojshme për të kuptuar dhe ndjekur hapat më të rëndësishëm gjatë procedurës jokontestimore në gjykatat e Kosovës. Udhëzuesi përshkruan procesin gjyqësor, të drejtat dhe detyrimet e palëve të përfshira, dhe formatet standarde për dokumentet që përdoren gjatë procedurës.

Qëllimi i këtij udhëzuesi është t'ju ofrojë një përmbledhje të qartë dhe të thjeshtë të procedurës jokontestimore, duke e bërë më të lehtë për ju të kuptoni dhe të përgatisni dokumentet dhe veprimet e nevojshme në rastet tuaja gjyqësore.

Ky udhëzues nuk duhet të lexohet si dokument që ofron këshilla ligjore për ju gjatë procedurës. Qëllimi i këtij udhëzuesi është t'iu pajisë me informata bazike lidhur me procedurat dhe të drejtat e në procedurë. Informatat brenda këtij udhëzuesi nuk janë gjithpërfshirëse. Prandaj, ky udhëzues mund të përmbajë informata që nuk janë të përshtatshme për raste të veçanta ose të përmbajë informata sipërfaqësore të cilat duhet të lexohen së bashku me ligjet në fuqi.


Informata të përgjithshme për procedurën jokontestimore


  1. Çka është procedura jokontestimore?

Kjo procedurë e rregullon procesin gjyqësor për interesa personale, familjare dhe të drejtave e interesave tjera juridike dhe pasurore të caktuara me ligj. 


  1. Në cilat raste zbatohet kjo procedurë?

Procedura jokontestimore zbatohet në situata të posaçme, që përfshijnë mes tjerash:

  1. Heqja ose kthimi i zotësisë për të vepruar

  2. Shpallja e personit të zhdukur të vdekur

  3. Heqja ose kthimi i të drejtës prindërore

  4. Vazhdimi ose pushimi i të drejtës prindërore

  5. Shqyrtimi i pasurisë trashëgimore

  6. Administrimi dhe shfrytëzimi i sendeve të përbashkëta


  1. Kush mund ta fillojë procedurën jo-kontestimore?

Procedurën jo-kontestimore mund ta inicojnë me propozim personat fizikë (pra vet ju), personat juridik (shoqëritë tregtare, organizatat, etj.) dhe po ashtu edhe organet shtetërore përkatëse. Madje në raste shumë të veçanta këtë procedurë mund ta inicojë edhe vetë gjykata sipas detyrës zyrtare.


  1. Çka duhet të kem parasysh gjatë procedurës jokontestimore personale apo familjare?

  • Një e veçantë e procedurës jokontestimore në çështje personale apo familjare është se nuk mund të hiqni dorë nga kërkesa juaj, ta pranoni kërkesën e kundërshtarit e as të lidhni ujdi gjyqësore.

  • Edhe po që se e bëni këtë, gjykata e vazhdon procedurën sipas detyrës zyrtare ashtu që t'i vërtetojë faktet e procedurës e po ashtu i konstaton edhe faktet për të cilat mund të pajtoheni me palën kundërshtare. 


  1. Cilat janë ligjet që duhet t’i kem parasysh gjatë procedurës jo-kontestimore dhe ku mund t’i gjej ato?

  • Kjo procedurë është e rregulluar në bazë të Ligjit për Procedurën Jokontestimore në fuqi në Republikën e Kosovës. Këtë ligj, bashkë me të gjitha ligjet tjera të zbatueshme në Kosovë mund ta gjeni në web-faqen zyrtare të Gazetës Zyrtare të Republikës së Kosovës. Përpos këtij ligji, varësisht nga procedura e veçantë që zhvillohet të rëndësishme janë edhe këto ligje: Ligji për Familjen, Ligji për Trashëgiminë, Ligji për Marrëdhëniet e Detyrimeve, Ligji për të Drejtat Sendore dhe të Drejtat tjera të Përafërta, etj.

  • Ligjet ndryshohen, plotësohen ose shfuqizohen dhe zëvendësohen me ligje të reja kohë pas kohe. Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës është burimi kryesor dhe më i rëndësishëm për ligjet në fuqi pasi që përditësohet vazhdimisht dhe mund ta shihni qartë se cilat ligje janë në fuqi dhe cilat janë shfuqizuar.

  • Po ashtu, keni parasysh se Ligji për Procedurën Kontestimore zbatohet përshtatshmërisht për çështjet që nuk janë rregulluar me Ligjin për Procedurën Jokontestimore. Prandaj, ju mund t’i referoheni edhe Udhëzuesit për Procedurën Kontestimore për shembull për përmbajtjen e parashtresave, mbarëvajtjen e seancave gjyqësore etj.


  1. Nuk jam i/e kënaqur me vendimin e gjykatës në procedurë gjyqësore, çka mund të bëj?

Në parim, ju mund të parashtroni ankesë ndaj aktvendimit të shkallës së parë brenda afatit 15 ditor nga dita e dorëzimit të aktvendimt. Për tu siguruar për afatin e ankesës lexojeni pjesën e aktvendimit në fund të tekstit të tij ku shkruan «këshillë juridike».

Informata për procedurat e veçanta jokontestimore

Heqja ose kthimi i zotësisë për të vepruar

  1. Çka është zotësia e veprimit? 


Zotësia e plotë e veprimit është aftësia që i takon personave që kanë arritur moshën madhore 18 vjet ose që e kanë fituar aftësinë e plotë me lidhjen e martesës para arritjes së kësaj moshe. Ajo përfshinë zotësinë për të hyrë në marrëdhënie kontraktuale me të tjerët, aftësinë për të lidhur martesë, zotësinë për të marrë vendime për veten pa pëlqimin e prindit apo të përfaqësuesit ligjor. 


  1. Çka është heqja ose kufizimi i zotësisë së veprimit?


  • Zotësia e veprimit i takon të gjithë personave mbi 18 vjeç sipas ligjit dhe mund të hiqet apo kufizohet vetëm me vendim të gjykatës.

  • Gjykata mund të vendosë t'ia heqë ose t'i kufizojë zotësinë e veprimit personave të moshës madhore të cilët janë plotësisht ose pjesërisht të paaftë të gjykojnë dhe nuk janë në gjendje të kujdesen për interesat dhe të drejtat e veta. Kur shkaqet për të cilat i është hequr një personi zotësia, pushojnë, atëherë gjykata merr vendim për kthimin e zotësisë për të vepruar.


  1. Kush mund ta iniciojë procedurën e heqjes ose kthimit të zotësisë së veprimit?

Propozimin për inicimin e procedurës për heqjen ose e kthimin e zotësisë së veprimit mund ta bëjë:

a) organi i kujdestarisë;

b) bashkëshorti, fëmija dhe prindërit e personit tek i cili janë krijuar kushtet ligjore për heqjen ose kthimin e zotësisë për të vepruar;

c) gjyshi, gjyshja, vëllai, motra, nipi dhe personat tjerë, po qe se këta persona vazhdimisht jetojnë në të njëjtën bashkësi familjare me personin për të cilin propozohet heqja, ose kthimi i zotësisë për të vepruar;

d) personi tjetër i paraparë me ligj;

e) gjykata;

f) organizata shëndetësore për shërimin e sëmundjeve mendore tek e cila ndodhet për mjekim personi të cilit duhet t'i hiqet ose t'i kthehet zotësia për të vepruar;

g) procedura për kthimin e zotësisë për të vepruar fillohet edhe me propozimin e personit të cilit i është hequr zotësia e veprimit.


  1. A ka kontrollim paraprak nga ekspertë për të konstatuar gjendjen psiqike të personit?

Personin të cilit propozohet t'i hiqet aftësia e veprimit e kontrollojnë tre ekspertë shëndetësor dhe japin konstatimin e tyre lidhur me gjendjen psiqike të tij apo saj.


  1. Si e vendosë gjykata heqjen e zotësisë së veprimit?

Gjykata merr vendimin për heqjen ose kthimin e zotësisë së veprimit në bazë të fakteve të vërtetuara në seancë gjyqësore.


Shpallja e personit të zhdukur të vdekur

  1. Çka është procedura e shpalljes së personit të zhdukur?

Personi i cili mungon nga vendbanimi ose vendqëndrimi i tij i fundit dhe për të cilin nuk ka informata për më shumë se dy vite, mund të shpallet i zhdukur me vendim të gjykatës.


  1. Çka duhet të përmbajë propozimi për hapjen e kësaj procedure?

Propozimi për shpalljen e zhdukjes së një personi duhet të përmbajë:

  1. emrin e gjykatës;

  2. emrin dhe mbiemrin e personit që propozohet të shpallet i zhdukur;

  3. ditën e lindjes dhe vendbanimin, përkatësisht vendqëndrimin e fundit të këtij personi;

  4. faktet në të cilat mbështetet propozimi;

  5. provat me të cilat konstatohen këto fakte;

  6. interesin juridik të propozuesit për paraqitjen e propozimit;

  7. emrin dhe mbiemrin e propozuesit dhe adresën e tij.


  • Bashkë me propozimin paraqitet certifikata nga libri amzë i të lindurve dhe numri personal për personin me të cilin ka të bëjë propozimi.


  1. Çfarë hapash i ndërmerr gjykata në këtë procedurë?


Hapat kryesor që gjykata i ndërmerr në këtë procedurë janë:


  • Verifikimi se a janë plotësuar parakushtet për fillim të procedurës;

  • Nëse është nevoja gjykata mbledhë të dhëna dhe dëgjon dëshmitarët e propozuesin lidhur me propozimin;

  • Nëse gjykata vlerëson se janë plotësuar kushtet për fillim të procedurës, e boton shpalljen në Gazetën Zyrtare të Kosovës;

  • Përmes shpalljes e njofton publikun se ka filluar procedura për shpalljen të zhdukur të personit dhe i bën thirrje që të lajmërohet ai/ajo ose personat tjerë që kanë informata për venddodhjen e pesonit; 

  • Kjo shpallje qëndron për tre muaj në Gazetën Zyrtare dhe në tabelën e shpalljeve të gjykatës;

  • Nëse plotësohen kushtet sipas ligjit, gjykata pas kalimit të afatit 3 mujor nxjerrë vendim me të cilin e shpallë personin e zhdukur.


Heqja ose kthimi i të drejtës prindërore dhe vazhdimi ose pushimi i të drejtës prindërore


  1. Çka janë procedurat për privimin nga kujdesi ose privimin nga e drejta prindërore?

Gjykata mund t'i privojë nga e drejta prindërore prindërit të cilët në mënyrë serioze e neglizhojnë ushtrimin e të drejtës prindërore. 

Për këtë procedurë gjykata e merr parasysh mendimin nga Organi i Kujdestarisë dhe i heton të gjitha rrethanat relevante lidhur me rastin individual.

  1. Kush e inicon procedurën e heqjes së të drejtës së kujdesit prindëror?

Procedurën për privimin nga kujdesi prindëror mund ta inicojë prindi tjetër, Organi i Kujdestarisë ose vetë gjykata.

Çka ndodhë kur shuhen rrethanat që e kanë imponuar vendimin për heqjen e të drejtës në kujdes prindëror?

Në raste të tilla mund të inicohet procedurë për kthimin e të drejtës së kujdesit prindëror.

  1. Kush e inicon procedurën e kthimit të të drejtës së kujdesit prindëror?

Këtë procedurë mund ta inicojë prindi dhe organi i kujdestarisë.


Shqyrtimi i pasurisë trashëgimore


  1. Çka është procedura për shqyrtimin e pasurisë trashëgimore?

Përmes kësaj procedure, gjykata vendosë se kush janë trashëgimtarët e personit të vdekur, ose të personit që është shpallur i vdekur me vendim gjyqësor. Pra në këtë procedurë, gjykata konstaton se çka hyn në pasurinë trashëgimore të lënë prapa nga personi i vdekur dhe cilat të drejta i takojnë cilëve trashëgimtarë ose persona të tjerë. 


  1. Kush e fillon procedurën për shqyrtimin e pasurisë trashëgimore?

Këtë procedurë e inicon gjykata sipas detyrës zyrtare, sapo të njoftohet se një person ka vdekur ose është shpallur i vdekur me vendim gjyqësor. 


  1. Çfarë hapash i ndërmerr gjykata për hapjen e procedurës së shqyrtimit të trashëgimisë?

Nëse personi i vdekur ka lënë pas pasuri, gjykata pasi ta pranon aktvdekjen, e cakton seancën për shqyrtimin e pasurisë trashëgimore dhe i dërgon letërthirrje personave të interesuar për fillimin e procedurës. 

Gjykata po ashtu, i njofton personat e interesuar nëse ka testament, i fton ata ta sjellin testamentin e shkruar (nëse ka) ose të tregojnë se kush janë dëshmitarët e testamentit gojor.


  1. Për çka vendosë gjykata në këtë procedurë?

Gjykata vendosë për të gjitha çështjet që lidhen me trashëgimin, me theks të veçantë për të drejtën e trashëgimit dhe madhësinë e pjesës trashëgimore. 


  1. Dua të heqi dorë nga trashëgimi, si mund ta bëj këtë?

Ju mund të hiqni dorë nga trashëgimi duke u deklaruar gojarisht gjatë seancës për shqyrtimin e trashëgimisë. Gjykata do të ju pyes nëse po heqni dorë vetëm personalisht në emrin tuaj apo edhe në emër të pasardhësve tuaj. 


Administrimi dhe shfrytëzimi i sendeve të përbashkëta

  1. Çka është procedura për administrimin dhe shfrytëzimin e sendeve të përbashkëta?


Në procedurën e administrimit dhe të shfrytëzimit të sendeve të përbashkëta të bashkëpronarëve, të bashkëshfrytëzuesve dhe të bashëposeduesve të tjerë të të njëjtit send. 

Këtë procedurë mund ta iniconi nëse konsideroni se ju është cënuar e drejta juaj për administrimin dhe shfrytëzimin e sendit të përbashkët. 


  1. Çka ndodhë nëse përpos që nuk mund të pajtohemi se si ta administrojmë sendin e përbashkët, kemi edhe mospajtime për atë se a i takon ndonjërit nga ne e drejta mbi sendin?

Atëherë, gjykata do të ju udhëzojë të iniconi padi në procedurë administrative ashtu që të konstatohet së pari nëse e keni të drejtën mbi sendin.


  1. E nëse nuk është kontestuese e drejta mbi sendin por, vetëm e mënyra e shfrytëzimit?

Atëherë, gjykata cakton seancë me të gjithë personat e interesuar në këtë çështje dhe vë në dukje mundësinë për ta arritur një marrëveshje që e rregullon mënyrën e administrimit ose të shfrytëzimit të sendit të përbashkët. Kjo marrëveshje konstatohet në procesverbal si ujdi gjyqësore.


  1. Çka ndodhë nëse nuk mund të mirremi vesh gjatë seancës për mënyrën e administrimit të sendit të përbashkët?

Atëherë gjykata nxjerrë vendim me të cilin e vendosë se si do të adminsitrohet sendi.