Cilat janë ligjet që duhet t’i kem parasysh gjatë procedurës jo-kontestimore dhe ku mund t’i gjej ato?
Kjo procedurë është e rregulluar në bazë të Ligjit për Procedurën Jokontestimore në fuqi në Republikën e Kosovës. Këtë ligj, bashkë me të gjitha ligjet tjera të zbatueshme në Kosovë mund ta gjeni në web-faqen zyrtare të Gazetës Zyrtare të Republikës së Kosovës. Përpos këtij ligji, varësisht nga procedura e veçantë që zhvillohet të rëndësishme janë edhe këto ligje: Ligji për Familjen, Ligji për Trashëgiminë, Ligji për Marrëdhëniet e Detyrimeve, Ligji për të Drejtat Sendore dhe të Drejtat tjera të Përafërta, etj.
Ligjet ndryshohen, plotësohen ose shfuqizohen dhe zëvendësohen me ligje të reja kohë pas kohe. Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës është burimi kryesor dhe më i rëndësishëm për ligjet në fuqi pasi që përditësohet vazhdimisht dhe mund ta shihni qartë se cilat ligje janë në fuqi dhe cilat janë shfuqizuar.
Po ashtu, keni parasysh se Ligji për Procedurën Kontestimore zbatohet përshtatshmërisht për çështjet që nuk janë rregulluar me Ligjin për Procedurën Jokontestimore. Prandaj, ju mund t’i referoheni edhe Udhëzuesit për Procedurën Kontestimore për shembull për përmbajtjen e parashtresave, mbarëvajtjen e seancave gjyqësore etj.